Ky dokument paraqet zbatimin e programit kombëtar të zhvillimit profesional për mësuesit në kuadër të reformës për përditësimin e kurrikulës së arsimit parauniversitar. Programi synon forcimin e kapaciteteve profesionale të mësuesve për zbatimin e metodologjive bashkëkohore të mësimdhënies, të bazuara në kompetenca, integrimin e qasjes STEM, përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në procesin mësimor, si dhe promovimin e metodave gjithëpërfshirëse dhe ndërdisiplinore të të nxënit.
Gjatë vitit 2025, programi u zbatua në shkallë kombëtare dhe mbuloi më shumë se 50% të programeve lëndore të përditësuara, duke përfshirë trajnimin e mijëra mësuesve, drejtuesve të shkollave dhe specialistëve të arsimit në të gjithë vendin. Në mbështetje të këtij procesi u miratuan kornizat dhe programet e reja kurrikulare për arsimin fillor, arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë, duke siguruar një bazë të qëndrueshme për modernizimin e sistemit arsimor dhe përafrimin e tij me standardet evropiane të arsimit dhe zhvillimit të kompetencave për shekullin XXI.