Ky udhëzues përmban një përmbledhje të hapave që duhen ndjekur nga subjektet zbatuese/përfituese që zbatojnë projekte që financohen nga donacione/grante, në kuadër të përjashtimit nga TVSH, në përputhje me Udhëzimin e Ministrit të Financave Nr. 6, datë 30.01.2015 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Hapi 1: Verifikimi i plotësimit të kushteve
Për t’u kualifikuar, një projekt duhet të plotësojë kushtet si më poshtë:
- Të jetë i financuar nëpërmjet një marrëveshje donacioni/granti të lidhur ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë (QSH) dhe një donatori të huaj.
- Në marrëveshje të jetë e sanksionuar që fondet nuk mund të përdoren për pagesën e taksave.
- Të jetë i regjistruar në Agjencinë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (Agjencia) përpara se të kërkojë përjashtimin nga TVSH.
Nëse projekti nuk plotëson kushtet e mësipërme, TVSH do të aplikohet normalisht.
Hapi 2: Regjistrimi i projektit pranë Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës
Kush aplikon?
- Partneri apo organizata e cila zbaton një pjesë ose të gjithë projektin.
- Përfituesi i projektit (në mungesë të një zbatuesi)
Si të aplikoni?
Dërgoni zyrtarisht kërkesën e aplikimit pranë Agjencisë, e cila duhet të përmbajë:
- Formularin e Aplikimit për Regjistrimin e Projektit të firmosur dhe vulosur (në përputhje me Aneksin e Udhëzimit)
- Marrëveshja kuadër me donatorin, si dhe referencat ligjore përkatëse
- Marrëveshja/kontrata e projektit, apo cdo dokument tjetër nëpërmjet të cilit rregullohet projekti
- Dokument identifikimi zyrtar i zbatuesit/përfituesit (Certifikatë NIPT/NUIS)
- Cdo dokument tjetër (në rast se vlerësohet i nevojshëm nga Agjencia).
Nëse zbatuesi i projektit është subjekt jo resident në Republikën e Shqipërisë, duhet të regjistrohet ose të kontraktojë një përfaqësues tatimor për kryerjen e procedurave të mësipërme.
Koha e shqyrtimit
- Agjencia shqyrton kërkesën dhe lëshon Certifikatën e Regjistrimit të Projektit brenda një afati kohor prej 10 ditë pune.
- Nëse konstatohen mangësi ose parregullsi ne dokumentacion, Agjencia njofton aplikantin për të kryer ndryshimet/plotësimet brenda një afati kohor prej 5 ditë pune.
Cfarë do të merrni?
- Certifikatën e Regjistrimit të Projektit, e cila përmban Kodin Unik të Identifikimit të Projektit që është i nevojshëm për kryerjen e transaksioneve të përjashtuara nga TVSH.
Hapi 3: Njoftimi i Autoriteteve Tatimore dhe Doganore
Agjencia dërgon Certifikatën e Regjistrimit të Projektit brenda një afati prej 2 ditësh pune pranë:
- Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), e cila njofton Drejtorinë Rajonale të Tatimeve (DRT) përkatëse
- Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (DPD)
Njoftimi garanton vënien në dijeni të Autoriteteve Tatimore dhe Doganore që projekti i plotëson kushtet për të kryer transaksione me TVSH 0%.
Hapi 4: Marrja e Certifikatës së Përjashtimit nga TVSH
Kush aplikon?
- Subjektit zbatues/përfitues të projektit i lëshohet automatikisht Certifikata e Përjashtimit nga TVSH, pas njoftimit të DPT nga Agjencia për lëshimin e Certifikatës së Regjistrimit të Projektit.
- Nëse projekti zbatohet nëpërmjet Kontraktorit, ky i fundit duhet të aplikojë pranë DRT në të cilën është regjistruar.
Si të aplikoni?
Dorëzoni pranë DRT dokumentacionin e mëposhtëm:
- Kopje të Certifikatës së Regjistrimit të lëshuar nga Agjencia në favor të subjektit zbatues.
- Kopje të kontratës ndërmjet subjektit zbatues dhe kontraktorit të noterizuar dhe përkthyer në gjuhën Shqipe.
Koha e shqyrtimit
- DRT lëshon Certifikatën e Përjashtimit nga TVSH (Formulari 7A) brenda 5 ditëve puna nga data e njoftimit nga DPT (për subjektin zbatues/përfitues) dhe/ose data e aplikimit nga kontraktori.
Cfarë do të merrni?
- Certifikatën e Përjashtimit nga TVSH e nevojshme për kryerjen e blerjeve dhe importeve me shkallë 0% TVSH.
Hapi 5: Blerje të mallrave dhe shërbimeve të përjashtuara nga TVSH
Kush mund të blejë me TVSH të përjashtuar?
- Subjekti zbatues i projektit (kur e zbaton vetë projektin)
- Kontraktori (në rastin kur kontraktohet nga zbatuesi I projektit)
Si të aplikoni?
- Paraqisni furnitorëve Certifikatën e Përjashtimit nga TVSH të lëshuar nga DRT.
- Sigurohuni që furnitorët të pasqyrojnë në faturë informacionin e mëposhtëm:
- Kodin Unik të Identifikimit të Projektit që ndodhet në Certifikatën e lëshuar nga Agjencia.
- Numrin e Certifikatës së Përjashtimit nga TVSH të lëshuar nga DRT.
- Dispozitën e Ligjit Nr. 92/2024, “Për TVSH në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar (shkronja “c)”, pika 1, neni 60)
Zbatuesit/përfituesit/kontraktorët e projekteve duhet të deklarojnë transaksionet në librat e tyre të shitjeve dhe blerjeve, si dhe në deklaratën e TVSH-së.
Hapi 6: Përjashtimi nga TVSH në import (nëse është e aplikueshme)
Kush aplikon?
- Subjekti zbatues/përfitues
- Kontraktori (në rast se është përgjegjës për importet)
Si të aplikoni?
Dorëzoni pranë DPD dokumentacionin e mëposhtëm:
- Kërkesë me shkrim për përjashtimin e TVSH në import
- Certifikatën e Regjistrimit të Projektit, të lëshuar nga Agjencia
- Certifikatën e Përjashtimit nga TVSH (formulari 7A) të lëshuar nga DRT
- Kopje të kontratës ndërmjet subjektit zbatues dhe kontraktorit të noterizuar dhe përkthyer në gjuhën Shqipe (e aplikueshme për kontraktorin)
Koha e shqyrtimit
- DPD shqyrton kërkesën brenda një afati kohor prej 5 ditë pune.
- Në rast se konstatohen parregullsi, aplikanti ka 10 ditë kohë për korektimin dhe ridërgimin e tyre pranë DPD.
Cfarë do të merrni?
- Autorizim për përjashtimin e TVSH në import
- Ky dokument nevojitet për zhdoganimin e mallrave me TVSH të përjashtuar
Hapi 7: Aplikimi për rimbusimin e TVSH (nëse është e aplikueshme)
Kush aplikon?
- Zbatuesit e projekteve të cilët kanë akumuluar TVSH dhe plotësojnë kushtet e përjashtimit nga TVSH.
- Kjo procedurë është e aplikueshme vetëm në rast se rimbursimi i TVSH është i sanksionuar në marreveshjen kuadër me donatorin
Si të aplikoni?
Dorëzoni kërkesën e Rimbursimit të TVSH pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH në DPT, duke përfshirë dokumentacionin si më poshtë:
- Vërtetim nga Agjencia se projekti i përmbush kushtet për t’u përjashtuar nga TVSH
- Certifikatën e Regjistrimit të Projektit të lëshuar nga Agjencia
- Projekt fisha, shoqëruar me buxhetin indikativ të aktiviteteve të planifikuara për t’u zbatuar gjatë jetëgjatësisë së projektit
- Kopje të faturave të fiskalizuara për të cilat është paguar TVSH-ja
- Letër nga donatori që konfirmon kryerjen e shpenzimeve
- Dokument që vërteton se këto shpenzime nuk janë financuar si kosto lokale (në rastet me përfitues institucion buxhetor)
Koha e shqyrtimit
- Kërkesat për rimbursimin e TVSH do të procesohen brenda 30 ditëve nga DPT.
Shënime
- Certifikatat e Rigjistrimit të Projektit të lëshuara para ndryshimit të Udhëzimit të Ministrit të Financave Nr.6, datë 22.02.2025 humbasin vlefshëmrinë dhe subjektet zbatuese/përfituese duhet të ri-aplikojnë.
- Procedurat e aplikimit për përjashtimin nga TVSH do të kryhen manualisht deri në tranzitimin e procedurës online nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania.