Thirrje për shprehje interesi: Pozicion vakant në kuadër të Programit Interreg IPA BNK Greqi-Shqipëri 2021-2027; 1 (një) Pikë Kombëtare e Kontaktit (NCP)

Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), në cilësinë e Strukturës Operuese në Republikën e Shqipërisë dhe në dakordësi me Autoritetin Menaxhues grek, shpall thirrjen publike për shprehje interesi për rekrutimin e 1 (një) Pike Kombëtare të Kontaktit (NCP) për Programin Interreg IPA BNK Greqi–Shqipëri 2021–2027.

Programi Interreg IPA BNK Greqi–Shqipëri 2021–2027 bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA III) dhe synon të mbështesë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, duke shfrytëzuar avantazhet e rajonit ndërkufitar për përfitime të ndërsjella. Pozicioni financohet nga projekti i Asistencës Teknike që mbështet Strukturën Operuese shqiptare në zbatimin e Programit.

Për pozicionin

Pika Kombëtare e Kontaktit (Antena/Info Point i Sekretariatit të Përbashkët) është e pozicionuar në zyrën e Antenës në Tiranë, me qëllim ofrimin e një asistence më të afërt për përfituesit shqiptarë dhe rritjen e dukshmërisë së Programit në nivel vendor.

Nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të SASPAC-ut dhe të Drejtuesit të Sekretariatit të Përbashkët (JS), i/e punësuari/a do të jetë përgjegjës/e për çështjet që lidhen me menaxhimin dhe zbatimin e Programit, duke përfshirë koordinimin e aktiviteteve specifike, raportimin kontraktual, administrimin e burimeve, asistencën në hapjen e thirrjeve për propozime, monitorimin e projekteve në terren (veçanërisht të orientuar drejt rezultateve), mbledhjen e të dhënave për raportet e Programit dhe mbështetjen e aktiviteteve të komunikimit, publicitetit dhe informimit. Pozicioni ushtrohet me kohë të plotë, në zyrë dhe në terren.

Detyrat kryesore

  • Të shërbejë si “pika e parë e kontaktit” për përfituesit potencialë, duke ofruar informacion, këshillim dhe ndihmë për përfituesit e projekteve në territorin e Republikës së Shqipërisë;
  • Të mbështesë Autoritetin Menaxhues/Sekretariatin e Përbashkët dhe SASPAC-un në zbatimin e aktiviteteve të komunikimit (evente, info-ditë, Plani i Komunikimit) në territorin e Republikës së Shqipërisë;
  • Të mbështesë monitorimin e zbatimit të projekteve në territorin shqiptar, si dhe identifikimin e problematikave apo vonesave në zbatim;
  • Të mbështesë zhvillimin dhe zbatimin e instrumenteve në nivel programi dhe projekti për zbatimin, monitorimin dhe raportimin;
  • Të ofrojë mbështetje dhe këshillim për përfituesit përfundimtarë në menaxhimin e projekteve të miratuara;
  • Të përgatisë raporte për JS-në dhe SASPAC-un mbi çështjet e zbatimit të projekteve;
  • Të marrë pjesë në takime në nivel projekti, kur është e nevojshme për zgjidhjen e problematikave të zbatimit;
  • Të organizojë/lehtësojë seminare apo aktivitete të tjera të zhvilluara në Shqipëri në kuadër të Programit;
  • Të mbështesë hedhjen dhe përpunimin e të dhënave të projekteve/programit në sistemin e informacionit që përdoret për menaxhimin e Programit;
  • Të mbështesë rishikimin e dokumenteve të Programit, punën e Komitetit të Përbashkët të Monitorimit (JMC) dhe të Strukturës Operuese shqiptare;
  • Të asistojë në organizimin e info-ditëve promovuese, eventeve të dukshmërisë lidhur me thirrjet për propozime, fushatave ndërgjegjësuese dhe eventeve promocionale;
  • Të kryejë detyra të tjera të ngarkuara nga Drejtuesi i JS/MA dhe Struktura Operuese shqiptare.

Kualifikimet e kërkuara

  • Diplomë universitare në Shkenca Komunikimi, Drejtësi, Administrim Publik, Ekonomi, Inxhinieri ose fusha të tjera të përafërta;
  • Eksperiencë menaxheriale në administrimin e projekteve/programeve të financuara nga BE-ja ose nga donatorë të tjerë ndërkombëtarë (eksperienca profesionale duhet të provohet me dokumentacion sigurimesh ose kopje të kontratave të punës, të përkthyera në anglisht);
  • Njohuri shumë të mira të gjuhës angleze dhe shqipe, në të shkruar dhe në të folur;
  • Aftësi shumë të mira kompjuterike: MS Office (Word, Excel, PowerPoint) dhe internet;
  • Leje drejtimi automjeti (kusht).

Kualifikime që përbëjnë avantazh

  • Njohuri dhe eksperiencë në procedurat e prokurimit të BE-së dhe në dokumentet e procedurat përkatëse (rregullat PRAG, rregullorja IPA dhe programi përkatës i bashkëpunimit ndërkufitar);
  • Njohuri të procedurave dhe legjislacionit të administratës publike;
  • Aftësi të mira në hartim, prezantim dhe komunikim;
  • Njohja e një gjuhe tjetër të BE-së;
  • Aftësi për të punuar në grup dhe në mjedis multikulturor;
  • Aftësi organizative dhe efektivitet në punë;
  • Aftësi për të punuar nën presion, kreativitet dhe zgjidhje problemesh;
  • Aftësi për të përcaktuar dhe ndjekur prioritetet e Programit;
  • Gatishmëri për udhëtime të shpeshta.

Raportimi

Formalisht, Pika Kombëtare e Kontaktit raporton te Drejtuesi i Sekretariatit të Përbashkët në Selanik, si dhe te Struktura Operuese shqiptare. Çdo muaj përgatit një raport mbi zbatimin e detyrave administrative dhe logjistike, si dhe një pasqyrë orësh pune (timesheet), e cila i paraqitet për miratim Drejtuesit të Strukturës Operuese në SASPAC.

Dokumentet e aplikimit

Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme:

  • Letër motivimi në anglisht;
  • Curriculum Vitae (CV) në formatin Europass, në anglisht;
  • Fotokopje të diplomave universitare (nuk është e nevojshme të jenë të përkthyera);
  • Fotokopje të pasaportës;
  • Certifikatë familjare;
  • Dëshmi penaliteti;
  • Fotokopje të librezës së punës;
  • Certifikata trajnimesh, aftësish kompjuterike dhe gjuhësore;
  • Dokumente të tjera relevante mbi eksperiencat e mëparshme: letra reference, certifikata etj.

I gjithë dokumentacioni duhet të dorëzohet në gjuhën angleze; nëse nuk është në anglisht, duhet të shoqërohet me përkthim në anglisht (përkthim jozyrtar). Për të shmangur skualifikimin, aplikimi duhet të përmbajë të gjitha dokumentet mbështetëse të kërkuara.

Afati dhe adresa e dorëzimit

Afati i dorëzimit: 21 shtator 2026, ora 16:30.

Dokumentet dorëzohen në format fizik (hard copy) në adresën:
Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës
Rruga “Kuvajt”, Tiranë, Shqipëri.

Subjekti: Aplikim për pozicionin “Pika Kombëtare e Kontaktit (NCP)”, Programi Interreg IPA BNK Greqi–Shqipëri 2021–2027.

Procesi i vlerësimit

CV-të dhe dokumentet mbështetëse shqyrtohen për të vlerësuar përmbushjen e kritereve të përzgjedhjes. Komiteti i Përzgjedhjes vlerëson arsimimin dhe kohëzgjatjen e eksperiencës profesionale mbi bazën e dokumentacionit të dorëzuar. Të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret ftohen në intervistë dhe në testim, ku vlerësohen eksperienca profesionale, kualifikimet dhe kompetencat përkatëse.

Kandidatët e kualifikuar vlerësohen sipas skemës së mëposhtme:

  • Dosja e aplikimit: deri në 15 pikë;
  • Testimi me shkrim: deri në 60 pikë;
  • Testimi me gojë: deri në 25 pikë.

Përzgjidhet kandidati më i mirë, i cili duhet të grumbullojë mbi 70 pikë në total. Kandidatët njoftohen në çdo fazë të procedurës me e-mail, në adresat e deklaruara në CV. Vetëm kandidatët që përmbushin kriteret do të njoftohen për intervistë.

Kandidati fitues, përpara nënshkrimit të kontratës së punës me SASPAC, duhet të paraqesë dokument zyrtar që vërteton mungesën e precedentëve penalë. Procesi i rekrutimit menaxhohet drejtpërdrejt nga SASPAC, në koordinim me Sekretariatin e Përbashkët dhe Autoritetin Menaxhues grek.

Njohuri të nevojshme për testimin

Dokumentet bashkëlidhur

 

 

Artikuj të ngjashëm
Programet BNK dhe Interreg – Kalendari i Thirrjeve
Më Shumë
Thirrje për shprehje interesi: 1 (një) Kontrollor i Zyrës së Kontrollit të Nivelit të Parë (FLC) — Programi Interreg IPA BNK Greqi–Shqipëri 2021–2027
Më Shumë
PUBLIC ANNOUNCEMENT for the selection of 1 (one) Communication and Visibility Officer
Më Shumë
THIRRJE PËR PRAKTIKË PROFESIONALE
Më Shumë