Thirrje për shprehje interesi: 1 (një) Kontrollor i Zyrës së Kontrollit të Nivelit të Parë (FLC) — Programi Interreg IPA BNK Greqi–Shqipëri 2021–2027


Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) shpall thirrjen për shprehje interesi për përzgjedhjen e 1 (një) Kontrollori të Zyrës së Kontrollit të Nivelit të Parë (First Level Control Officer – FLC), me vendndodhje në Tiranë, në kuadër të Programit Interreg IPA BNK Greqi–Shqipëri 2021–2027.

Programi Interreg IPA BNK Greqi–Shqipëri 2021–2027 bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA III) dhe synon mbështetjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke shfrytëzuar avantazhet e rajonit ndërkufitar për përfitime të ndërsjella. Autoriteti Menaxhues i Programit është Ministria e Zhvillimit dhe Investimeve, ndërsa Sekretariati i Përbashkët ofron informacion për përfituesit potencialë dhe mbështet partnerët gjatë zbatimit të projekteve; të dyja strukturat ndodhen në Selanik.

Në Shqipëri, Autoriteti Kombëtar përgjegjës për koordinimin e Programit është SASPAC, i cili garanton funksionimin e duhur të sistemit të menaxhimit dhe kontrollit, në veçanti përputhshmërinë me rregullat e BE-së dhe ato kombëtare për të gjitha shpenzimet e kryera nga përfituesit shqiptarë.

Për pozicionin

Zyra e Kontrollit të Nivelit të Parë është përgjegjëse për verifikimin e shpenzimeve të kryera nga përfituesit shqiptarë, në një sistem kontrolli të centralizuar. Stafi i Zyrës përbëhet nga katër (4) anëtarë: një (1) Drejtues dhe tre (3) Kontrollorë të Nivelit të Parë.

Kontrollori i Nivelit të Parë kryen verifikime administrative mbi shpenzimet e paraqitura nga përfituesit dhe verifikime në terren të operacioneve. Pozicioni është i bazuar në Tiranë, mbikëqyret drejtpërdrejt nga SASPAC dhe raporton te Drejtuesi i Zyrës së Kontrollit të Nivelit të Parë, te Autoriteti Kontraktor dhe, kur është e nevojshme, te Autoriteti Kombëtar. Kandidati fitues punësohet nga SASPAC.

Verifikimet administrative përfshijnë:

  • Saktësinë e shpenzimeve të deklaruara në përputhje me formularin e aplikimit;
  • Përputhshmërinë e shpenzimeve me operacionin e miratuar;
  • Përputhshmërinë e shpenzimeve me periudhën e pranueshme (eligible);
  • Përputhshmërinë me manualet dhe kushtet e Programit;
  • Përputhshmërinë me legjislacionin kombëtar dhe komunitar e rregullat e pranueshmërisë, duke përfshirë përshtatshmërinë e dokumenteve mbështetëse dhe ekzistencën e një gjurme adekuate auditimi.

Detyrat kryesore

  • Verifikon ligjshmërinë, rregullsinë dhe realitetin e aktiviteteve dhe shpenzimeve të deklaruara nga secili përfitues/partner shqiptar, duke konfirmuar se produktet dhe shërbimet e bashkëfinancuara janë realizuar, se shpenzimet janë paguar dhe se ato janë në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm, Programin e Bashkëpunimit dhe kushtet e mbështetjes së operacionit;
  • Verifikon dokumentacionin e të gjitha operacioneve për të cilat përfituesit kanë përgatitur raportin e progresit, mbi bazën e parimeve të: realitetit të shpenzimit, ligjshmërisë dhe rregullsisë, vendndodhjes së operacionit të bashkëfinancuar dhe provës së dokumentuar;
  • Verifikon zbatimin e rregullave të prokurimit për shpenzimet për punë, mallra dhe shërbime, si dhe përmbushjen e kërkesave të Programit për dukshmërinë dhe komunikimin;
  • Përgatit dhe lëshon Certifikatën e Vlefshmërisë së Shpenzimeve (CVE), pas verifikimit të përputhshmërisë së plotë të raporteve të progresit dhe dokumentacionit mbështetës;
  • Zbaton çdo dokument zyrtar të përgatitur nga Autoriteti Menaxhues dhe Autoriteti Kombëtar, sipas detyrave të ngarkuara dhe kuadrit ligjor, manualeve, rregulloreve dhe udhëzimeve në fuqi;
  • Bashkëpunon me Sekretariatin e Përbashkët në të gjitha aktivitetet e lidhura me kontrollin e nivelit të parë gjatë gjithë zbatimit të projekteve të miratuara;
  • Bashkëpunon me Autoritetin e Auditimit dhe me çdo strukturë tjetër kombëtare apo evropiane të kontrollit e auditimit, duke vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës;
  • Asiston strukturat e Programit (MA, JS, Komiteti i Monitorimit, Autoriteti i Kontabilitetit, Autoriteti i Auditimit) dhe Autoritetin Kombëtar në përgatitjen e raporteve, statistikave dhe informacionit mbi certifikimin e shpenzimeve;
  • Ofron asistencë këshillimore për të gjithë përfituesit shqiptarë gjatë gjithë kohëzgjatjes së zbatimit të projektit dhe merr pjesë në takime me përfituesit/partnerët;
  • Informon periodikisht Drejtuesin e Zyrës së Kontrollit të Nivelit të Parë, Zyrtarin e Parregullsive dhe/ose Autoritetin Kombëtar për çdo problematikë apo parregullsi të konstatuar;
  • Asiston Autoritetin Kombëtar në ofrimin e sesioneve trajnuese për përfituesit potencialë/partnerët kryesorë në territorin shqiptar;
  • Merr pjesë në trajnime, sesione informuese dhe workshope të FLC-së të organizuara nga strukturat e Programit ose INTERACT;
  • Kryen detyra të tjera të përcaktuara nga Autoriteti Kombëtar në dakordësi me Autoritetin Menaxhues, duke garantuar cilësi dhe afate në përmbushjen e tyre.

Kualifikimet e kërkuara

  1. Diplomë universitare (të paktën 4 vjet studime në financë, kontabilitet, ekonomi, drejtësi ose fusha të tjera të përafërta);
  2. Të paktën 5 vjet eksperiencë pune në menaxhim financiar dhe/ose kontroll e auditim projektesh/programesh, preferohet të financuara nga fondet e BE-së;
  3. Njohuri të rregulloreve përkatëse të BE-së, rregullave të Programit dhe legjislacionit kombëtar në fuqi;
  4. Njohuri të mira të procedurave të prokurimit publik (rregullat kombëtare dhe PRAG);
  5. Njohje e procedurave dhe sistemeve të monitorimit në nivel programi dhe projekti;
  6. Nivel i avancuar i gjuhës angleze, në të folur dhe në të shkruar (të paktën C1), me aftësi për të hartuar dokumente dhe për të komunikuar me autoritetet përkatëse;
  7. Të mos ketë precedentë penalë, si dhe të mos ketë masa disiplinore të lidhura me mospërmbushje të detyrave në kontabilitet apo menaxhim financiar;
  8. Aftësi shumë të mira kompjuterike, përfshirë Excel, përpunim teksti dhe përdorim bazash të dhënash.

Kualifikime që përbëjnë avantazh

  • Studime pasuniversitare në fusha relevante — Master ose kualifikim pasuniversitar në kontabilitet, financë ose auditim;
  • Kontabilist i certifikuar profesionist ose program trajnimi profesional i përfunduar në auditim (Ekspert Kontabël i Autorizuar / Auditues Ligjor) ose kontabilitet (Kontabilist i Miratuar);
  • Eksperiencë në menaxhimin ose mbështetjen teknike të programeve Interreg;
  • Eksperiencë në menaxhimin e procedurave të prokurimit publik (kombëtare dhe PRAG);
  • Aftësi organizative dhe efektivitet në punë;
  • Njohuri të rregullave dhe praktikave të financave publike;
  • Aftësi e provuar për të punuar në mjedis multikulturor.

Dokumentet e aplikimit

Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme:

  • Letër motivimi në anglisht;
  • Curriculum Vitae (CV) në formatin Europass, në anglisht;
  • Fotokopje të diplomave universitare (nuk është e nevojshme të jenë të përkthyera);
  • Fotokopje të pasaportës;
  • Certifikatë familjare;
  • Dëshmi penaliteti;
  • Fotokopje të librezës së punës;
  • Certifikata trajnimesh, aftësish kompjuterike dhe gjuhësore;
  • Dokumente të tjera relevante mbi eksperiencat e mëparshme: letra reference, certifikata etj.

I gjithë dokumentacioni duhet të dorëzohet në gjuhën angleze; nëse nuk është në anglisht, duhet të shoqërohet me përkthim në anglisht (përkthim jozyrtar). Për të shmangur skualifikimin, aplikimi duhet të përmbajë të gjitha dokumentet mbështetëse të kërkuara.

Afati dhe adresa e dorëzimit

Afati i dorëzimit: 21 shtator 2026, ora 16:30.

Dokumentet dorëzohen në format fizik (hard copy) në adresën:
Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës
Rruga “Kuvajt”, Tiranë, Shqipëri.

Subjekti: Aplikim për pozicionin “Kontrollor i Zyrës së Kontrollit të Nivelit të Parë (FLC)”, Programi Interreg IPA BNK Greqi–Shqipëri 2021–2027.

Procesi i vlerësimit

CV-të dhe dokumentet mbështetëse shqyrtohen për të vlerësuar përmbushjen e kritereve të përzgjedhjes. Komiteti i Përzgjedhjes vlerëson arsimimin dhe kohëzgjatjen e eksperiencës profesionale mbi bazën e dokumentacionit të dorëzuar. Të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret ftohen në intervistë dhe në testim.

  • Dosja e aplikimit: deri në 15 pikë;
  • Testimi me shkrim: deri në 60 pikë;
  • Testimi me gojë: deri në 25 pikë.

Përzgjedhja përfundimtare bëhet ndërmjet kandidatëve që grumbullojnë mbi 70 pikë në total. Kandidatët njoftohen në çdo fazë të procedurës me e-mail, në adresat e deklaruara në CV. Vetëm kandidatët që përmbushin kriteret do të njoftohen për intervistë.

Kandidati fitues, përpara nënshkrimit të kontratës së punës me SASPAC, duhet të paraqesë dokument zyrtar që vërteton mungesën e precedentëve penalë.

Njohuri të nevojshme për testimin

  • Programi Interreg IPA BNK Greqi–Shqipëri: greece-albania.eu
  • Rregullat PRAG: ePRAG
  • Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë: QBZ
  • Marrëveshja Financiare për Programin Interreg IPA BNK Greqi–Shqipëri, ratifikuar me Ligjin nr. 75, datë 25.07.2024.

Dokumentet bashkëlidhur

 

Artikuj të ngjashëm
Programet BNK dhe Interreg – Kalendari i Thirrjeve
Më Shumë
Thirrje për shprehje interesi: Pozicion vakant në kuadër të Programit Interreg IPA BNK Greqi-Shqipëri 2021-2027; 1 (një) Pikë Kombëtare e Kontaktit (NCP)
Më Shumë
PUBLIC ANNOUNCEMENT for the selection of 1 (one) Communication and Visibility Officer
Më Shumë
THIRRJE PËR PRAKTIKË PROFESIONALE
Më Shumë