Prezantimi i procedurës
Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) ka një rol qendror në procedurën e regjistrimit të projekteve të financuara nga donatorë të huaj dhe në mundësimin e përjashtimit të tyre nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), në rastet kur kjo parashikohet në marrëveshjet përkatëse. Në përputhje me Udhëzimin e Ministrit të Financave Nr. 6, datë 24.02.2025, çdo projekt me burim financimi të huaj që përjashtohet nga pagesa e tatimeve duhet të regjistrohet në Agjenci përpara fillimit të zbatimit.
Procesi nis me dorëzimin nga zbatuesi ose përfituesi i projektit të Formularit të Aplikimit — pjesë integrale e këtij udhëzimi — dhe dokumentacionit shoqërues, përfshirë marrëveshjen e grantit me donatorin dhe projekt-fishën me buxhetin përkatës. Dokumentet mund të dorëzohen dorazi ose me postë. Pas verifikimit, Agjencia lëshon Certifikatën e Regjistrimit, e cila përmban Kodin Unik të Identifikimit dhe të dhënat themelore të projektit, duke njohur subjektin si përfitues të përjashtimit.
Bazuar në këtë certifikatë dhe në informacionin e përcjellë nga Agjencia, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) pajis automatikisht zbatuesin ose përfituesin me Certifikatën e Përjashtimit nga TVSH-ja. Kjo e dyta përbën dokumentin operacional për trajtimin me TVSH zero për qind, si për furnizimet brenda vendit ashtu edhe për importin e mallrave në kuadër të projektit.
Certifikatat shoqërojnë gjithë ciklin tatimor të projektit dhe janë të vlefshme deri në përfundimin e tij. Për çdo ndryshim në marrëveshje apo në vlerën e financimit, përfituesi njofton Agjencinë, e cila siguron përditësimin e të dhënave dhe informimin e autoriteteve përkatëse. Po ashtu, në rastet kur TVSH-ja është paguar përpara certifikimit, mundësohet rimbursimi i saj sipas procedurës së parashikuar në pikën 8 të nenit 63/1 të Udhëzimit të Ministrit të Financave nr. 6, datë 24.02.2025.
Ky proces garanton transparencë, lehtësi administrative dhe zbatim të drejtë të angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë ndaj partnerëve zhvillimorë. Ai bazohet në bashkëpunimin institucional midis SASPAC, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Ministrisë së Financave. Në një të ardhme të afërt, aplikimi do të bëhet edhe online përmes platformës qeveritare e-Albania, duke thjeshtuar më tej procedurën për përfituesit.
Hapat kryesorë të procesit
1
Plotësimi dhe dorëzimi i dokumentacionit
Zbatuesi ose përfituesi plotëson dokumentacionin sipas Udhëzimit të MF Nr. 6, datë 24.02.2025 — Formulari i Aplikimit, marrëveshja e grantit dhe projekt-fisha me buxhetin përkatës — dhe e dorëzon në Agjenci dorazi ose me postë.
2
Lëshimi i Certifikatës së Regjistrimit nga Agjencia
Pas verifikimit, Agjencia lëshon Certifikatën e Regjistrimit me Kodin Unik të Identifikimit, duke njohur subjektin si përfitues të përjashtimit.
3
Pajisja me Certifikatën e Përjashtimit nga TVSH-ja
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pajis automatikisht zbatuesin ose përfituesin me Certifikatën e Përjashtimit nga TVSH-ja, e cila përdoret për furnizimet brenda vendit dhe importin e mallrave.
Roli i Agjencisë në procesin e përjashtimit
Garantim i transparencës — siguron një proces të qartë, të dokumentuar dhe në përputhje me kuadrin ligjor.
Verifikim i dokumentacionit — kontrollon dokumentet e dorëzuara nga agjencitë, organizatat dhe entitetet zbatuese ose përfituese.
Lëshim i Certifikatës së Regjistrimit — njeh subjektin si përfitues të përjashtimit.
Informim i strukturave tatimore dhe doganore — njofton DPT-në dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për subjektin e regjistruar.
Koordinim për Certifikatën e Përjashtimit — lehtëson procesin për pajisjen e zbatuesve ose përfituesve me certifikatën e lëshuar nga DPT.
Monitorim dhe adresim i problematikave — ndjek ecurinë e procesit dhe mbështet zbatuesit kur hasin vështirësi.
Së shpejti
Aplikimi online përmes platformës qeveritare e-Albania.
Pyetje të shpeshta
Shtypni mbi secilën pyetje për të zgjeruar përgjigjen.
01
Kush mund të përjashtohet nga TVSH?
+
Projektet që financohen nga një marrëveshje zyrtare donacioni ose granti dhe që kanë të sanksionuar në marrëveshje mospërdorimin e fondeve për taksa dhe tatime. Çdo subjekt përfitues ose zbatues duhet të regjistrojë projektin pranë Agjencisë përpara fillimit të zbatimit.
02
Kur duhet të bëhet aplikimi për regjistrim?
+
Aplikimi duhet të bëhet përpara fillimit të zbatimit të projektit dhe përpara kryerjes së çdo shpenzimi që synon të përfitojë nga përjashtimi nga TVSH.
03
Çfarë dokumentesh kërkohen për aplikim dhe si dorëzohen?
+
Dokumentacioni përfshin Formularin e Aplikimit (sipas Udhëzimit të MF Nr. 6, datë 24.02.2025), marrëveshjen e grantit me donatorin dhe projekt-fishën që përmban përshkrimin dhe buxhetin e projektit. Dokumentet dorëzohen pranë Agjencisë dorazi ose me postë.
04
Cili është ndryshimi midis Certifikatës së Regjistrimit dhe Certifikatës së Përjashtimit nga TVSH-ja?
+
Në procedurë përfshihen dy certifikata me role plotësuese. Certifikata e Regjistrimit lëshohet nga SASPAC, përmban Kodin Unik të Identifikimit dhe njeh subjektin si përfitues të përjashtimit. Certifikata e Përjashtimit nga TVSH-ja lëshohet automatikisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbi bazën e Certifikatës së Regjistrimit dhe përdoret për trajtimin me TVSH zero për qind në furnizimet brenda vendit dhe importet.
05
Si duhet faturuar furnizuesi për të zbatuar TVSH-në e përjashtuar?
+
Furnizuesit duhet të citojnë në faturë Kodin Unik të Certifikatës së Regjistrimit, numrin e Certifikatës së Përjashtimit nga TVSH-ja, si dhe referencat ligjore përkatëse. Kjo garanton transparencë dhe korrektësi fiskale në çdo transaksion.
06
A zbatohet përjashtimi edhe për importin e mallrave?
+
Po. Me dokumentacionin e duhur, edhe mallrat e importuara në kuadër të projektit përjashtohen nga TVSH. Agjencia dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bashkëpunojnë për të garantuar një proces të lehtësuar dhe të drejtë.
07
A janë të vlefshme certifikatat gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit?
+
Po, të dyja certifikatat — Certifikata e Regjistrimit dhe Certifikata e Përjashtimit nga TVSH-ja — shoqërojnë gjithë ciklin tatimor të projektit dhe janë të vlefshme deri në përfundimin e tij.
08
Çfarë ndodh në rast ndryshimesh në marrëveshje ose në financim?
+
Për çdo ndryshim në marrëveshje apo në vlerën e financimit, përfituesi duhet të njoftojë Agjencinë, e cila përditëson të dhënat dhe informon autoritetet përkatëse — Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
09
Kur mund të kërkohet rimbursimi i TVSH-së?
+
Rimbursimi kërkohet në kushtet kur, për mallrat ose shërbimet e destinuara për realizimin e projekteve, TVSH-ja është paguar përpara pajisjes me Certifikatën e Regjistrimit të Projektit sipas përcaktimeve të Udhëzimit Nr. 6, datë 24.02.2025, të ndryshuar. Gjithashtu, kur në marrëveshjet e ratifikuara nga Kuvendi ose të miratuara nga Këshilli i Ministrave parashikohet se mospërdorimi i burimeve financiare të huaja për të paguar tatime (TVSH) bëhet efektiv edhe nëpërmjet mekanizmit të rimbursimit, TVSH-ja e paguar rimbursohet. Rimbursimi realizohet sipas procedurës së parashikuar në pikën 8 të nenit 63/1 të Udhëzimit të sipërcituar.
10
A zbatohet përjashtimi nga TVSH për të gjitha projektet me financim të huaj?
+
Procedura e përjashtimit zbatohet vetëm për projektet e financuara me fonde të marra në bazë të një marrëveshjeje donacioni ose granti, të lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë / Republikës së Shqipërisë dhe donatorëve të huaj, nëse në marrëveshje është parashikuar se fondet e marra nuk do të përdoren për të paguar tatime në Shqipëri.
11
Si do të bëhet aplikimi në të ardhmen?
+
Agjencia është duke punuar për dixhitalizimin e procesit dhe aplikimi do të mund të kryhet online përmes platformës qeveritare e-Albania.