Ky dokument paraqet zbatimin e hapit të Agjendës së Reformave për përmirësimin e qeverisjes së ndërmarrjeve shtetërore, përmes miratimit të rregullave të reja për emërimin e anëtarëve të bordeve mbikëqyrëse në bazë të procedurave të hapura, transparente dhe të bazuara në meritë. Ndryshimet u miratuan me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 498, datë 26.06.2026, duke harmonizuar kuadrin rregullator me praktikat dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian.
Kuadri i ri rregullator krijon komitete të përhershme për përzgjedhjen e kandidatëve, vendos kritere të qarta për pavarësinë, integritetin dhe konfliktin e interesit, forcon transparencën e procesit të rekrutimit dhe rrit përgjegjshmërinë në funksionimin e bordeve mbikëqyrëse. Reforma synon të përmirësojë qeverisjen korporative të ndërmarrjeve shtetërore, të rrisë besueshmërinë e investimeve publike dhe të përafrojë praktikat kombëtare me standardet e OECD-së dhe të Bashkimit Evropian.