Ky dokument paraqet hapat e ndërmarrë nga Shqipëria për t’u përfshirë në Listën e Besuar të Vendeve të Treta të Bashkimit Evropian (EU Third Countries Trusted List), një proces i rëndësishëm për njohjen dhe verifikimin e nënshkrimeve elektronike në përputhje me standardet e rregullores evropiane eIDAS. Procesi është koordinuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), përmes përgatitjes dhe dorëzimit të dokumentacionit ligjor dhe teknik të kërkuar nga Komisioni Evropian.
Përfshirja në këtë mekanizëm krijon bazat për njohjen ndërkufitare të shërbimeve të besuara elektronike dhe për përdorimin e nënshkrimeve elektronike me efekte juridike të krahasueshme me nënshkrimin e shkruar me dorë në hapësirën evropiane. Nisma kontribuon në forcimin e transformimit digjital, rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së transaksioneve elektronike, lehtësimin e ofrimit të shërbimeve publike dhe private në formë digjitale, si dhe në afrimin e Shqipërisë me tregun unik digjital të Bashkimit Evropian.