OLD IPA III

Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA III) përfaqëson mekanizmin kryesor përmes të cilit Bashkimi Evropian mbështet Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit. Në periudhën programore 2021–2027, IPA III synon të forcojë stabilitetin, zhvillimin ekonomik e shoqëror, si dhe përgatitjen institucionale për integrim të plotë në BE, duke ofruar mbështetje financiare në fusha kyçe të reformave.

Shqipëria përfiton fonde IPA III nëpërmjet Programeve Vjetore Kombëtare dhe Programeve Operacionale, të cilat adresojnë prioritetet strategjike të vendit në përputhje me agjendën e reformave dhe objektivat e integrimit evropian. Përmes këtij instrumenti, mbështeten reformat në drejtësi dhe shtetin e së drejtës, mirëqeverisjen dhe përafrimin me acquis të BE-së, tranzicionin e gjelbër dhe lidhjet e qëndrueshme, si dhe konkurrueshmërinë ekonomike dhe rritjen gjithëpërfshirëse.

Zbatimi i IPA III bazohet në parimin e partneritetit ndërmjet institucioneve shqiptare dhe Komisionit Evropian, duke garantuar përdorim të qëndrueshëm, transparent dhe me ndikim të fondeve të BE-së për përfituesit dhe qytetarët shqiptarë.

Marrëveshjet Financiare nën IPA III

Marrëveshja Financiare IPA 2021 ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Komisionit Evropian për Programin Vjetor Kombëtar për vitin 2021, u miratua me VKM Nr. 765, datë 12.12.2022 dhe u botua në Fletoren Zyrtare Nr. 167, datë 14 dhjetor 2022. Kjo marrëveshje ka mundësuar fillimin e projekteve që mbështesin reforma kyçe në drejtësi, pronësi, mjedis dhe zhvillim ekonomik.

Marrëveshja Financiare IPA 2022 u miratua me VKM Nr. 165, datë 24.03.2023, dhe u botua në Fletoren Zyrtare Nr. 48, datë 24 mars 2023. Ky program ka synuar forcimin e shtetit të së drejtës, vijimin e procesit të vettingut, konsolidimin e demokracisë dhe lirisë së medias, rritjen e punësimit, si dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore. Një pjesë e fondeve (5.45 milionë euro) u zbatua përmes menaxhimit indirekt nga CFCU, në cilësinë e autoritetit kontraktor të akredituar.

Marrëveshja Financiare IPA 2023 u miratua me VKM Nr. 166, datë 24.03.2023 dhe u botua në Fletoren Zyrtare Nr. 48, datë 24 mars 2023. Ky program, me një buxhet prej 80 milionë euro, përfaqëson një kontratë mbështetjeje buxhetore “Ndërtimi i Shtetit dhe Rezistenca për Shqipërinë”, që synoi përballimin e krizës energjetike dhe mbështetjen e ekonomisë kombëtare, me fokus te ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe familjet në nevojë. Disbursimi i fondeve u realizua 100%, pas verifikimit të kushteve nga Komisioni Evropian.

Marrëveshja Financiare IPA 2024 ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian është miratuar me VKM Nr. 414, datë 23.07.2025. Kjo marrëveshje është botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 137, datë 31 korrik 2025, duke mundësuar zbatimin e projekteve të përfshira në paketën financiare IPA III për vitin 2024.

Programimi i IPA 2025–2027

Procesi i programimit për vitet 2025–2027 ka sjellë risi të rëndësishme, pasi për herë të parë janë përfshirë tre vite programuese në një ushtrim të vetëm. Kjo qasje ka mundësuar një vizion më afatgjatë dhe një koherencë më të plotë me procesin e integrimit evropian.

Risi të tjera të këtij cikli janë përfshirja e termave “drejtësi e integruar” dhe “mirëqeverisje e integruar”, duke reflektuar fokusin në ndërthurjen e reformave institucionale me procesin e anëtarësimit.

Marrëveshja e financimit për Planin Shumëvjecar tw Veprimit për vitet 2025-2027 është miratuar me vendimin nr. 735, datë 10.12.2025, si pjese e të cilit janë miratuar pesë Dokumente Veprimi me vlerë totale 100 milionë euro, si më poshtë:

BE për Drejtësi të Integruar dhe të Drejtat e Njeriut (IPA 2025) – 25.563 milionë euro

BE për Lëndët e Para Kritike (IPA 2025) – 8 milionë euro

BE për Mirëqeverisjen e Integruar (IPA 2026) – 22.437 milionë euro

Instrumenti Lehtësues i Integrimit Evropian (IPA 2026) – 25.5 milionë euro

BE për Sundimin e Ligjit dhe Demokracinë (IPA 2027) – 18.5 milionë euro

Rezultatet dhe aktivitetet e këtyre dokumenteve janë të lidhura ngushtë me Agjendën e Reformave 2024–2027 dhe mbështetjet e tjera të BE-së, duke respektuar parimin e komplementaritetit.

IPA Totali i alokuar Menaxhim Direkt Menaxhim Indirekt
IPA 2021 64,900,000 64,900,000
IPA 2022 82,600,000 77,150,000 5,450,000
IPA 2023
(mbështetje për krizën energjitike)
80,000,000 80,000,000
IPA 2024 67,350,000 67,350,000
Programet Operacionale 2024–2027 130,000,000 130,000,000
IPA 2025–2027 100,000,000 100,000,000
Total EU (IPA III) në Euro 524,850,000 389,400,000 135,450,000
Programet Operacionale 2024–2027

Në kuadër të IPA III, Shqipëria ka përgatitur dhe miratuar tre Programe Operacionale (OP) për periudhën 2024–2027. Këto programe synojnë të mbështesin reformat strukturore dhe përmirësimin e politikave publike në fusha prioritare për zhvillimin e vendit dhe përgatitjen për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Programet u hartuan në vitin 2023, u dërguan në Komisionin Evropian më 30 qershor 2023 dhe u miratuan në gusht 2024. Në fund të nëntorit 2024, Komisioni Evropian përcolli draftet e Marrëveshjeve të Financimit për secilin program.

Buxheti: 44 milionë euro (30 milionë euro kontribut i BE-së)

Objektivi: Modernizimi dhe konsolidimi i infrastrukturës digjitale të Shqipërisë, me synimin që deri në vitin 2030 vendi të jetë plotësisht i digjitalizuar në funksion të qytetarëve, sipërmarrjes dhe brezit të ri.

Rezultatet e pritshme: përmirësim dhe modernizim i sistemeve elektronike në sektorët kryesorë; automatizim i shërbimeve publike; lehtësim i jetës së qytetarëve, bizneseve dhe funksionimit të administratës.

Buxheti: 79 milionë euro (50 milionë euro kontribut i BE-së)

Objektivi: Rritja e efiçiencës së energjisë dhe ulja e konsumit përmes masave të gjelbra e inovative.

Rezultatet e pritshme: auditime dhe masa për efiçiencën e energjisë në ndërtesa publike dhe sektorin e furnizimit me ujë; zhvillimi i e-mobilitetit përmes stacioneve të karikimit të automjeteve elektrike dhe instalimit të paneleve fotovoltaike; investime për elektrifikimin e hekurudhave si formë transporti miqësore me mjedisin.

Buxheti: 63.48 milionë euro (50 milionë euro kontribut i BE-së)

Objektivi: Rritja e punësimit dhe përmirësimi i aftësive të të rinjve, duke nxitur arsimimin, pjesëmarrjen aktive dhe zhvillimin e potencialit të tyre profesional.

Rezultatet e pritshme: mbështetje për zbatimin e Planit të Garancisë Rinore, i cili synon të sigurojë që çdo i ri të ketë mundësi për punësim, trajnime ose arsimim cilësor brenda një periudhe të caktuar kohe pas daljes në tregun e punës.

 

Urdhër i Kryeministrit nr.120, datë 1.8.2022 “Për përcaktimin e procedurës së koordinimit të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) me disa struktura dhe institucione të administratës shtetërore”.

Në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit nr. 120, datë 1.8.2022, përcaktohet procedura e bashkërendimit institucional ndërmjet Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) dhe strukturave përkatëse të administratës shtetërore, me qëllim forcimin e koordinimit të planifikimit strategjik, programimit dhe monitorimit të ndihmës së huaj, përfshirë asistencën financiare të Bashkimit Evropian. Ky urdhër synon të sigurojë qartësi rolesh, rrjedhë të unifikuar informacioni dhe efikasitet në ndërveprimin ndërinstitucional, në funksion të përputhshmërisë me prioritetet kombëtare të zhvillimit dhe procesin e integrimit evropian. VKM nr.120, datë 1.8.2022.

VKM për Menaxhimin Financiar të nstrumentin për Asistencën e Paraanëtarësimit 2021–2027 (IPA III)

Në përputhje me Vendimin nr. 642, datë 29.10.2021 të Këshillit të Ministrave dhe me Ligjin nr. 65/2022 për ratifikimin e Marrëveshjes Kuadër Financiare të Partneritetit IPA III, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) ushtron funksionin qendror të koordinimit, programimit dhe monitorimit të asistencës financiare të Bashkimit Evropian për Republikën e Shqipërisë. Në këtë kuadër, SASPAC siguron zbatimin e rregullave specifike të IPA III, mbështet Koordinatorin Kombëtar IPA dhe garanton që fondet e BE-së të planifikohen, menaxhohen dhe monitorohen në përputhje me prioritetet kombëtare, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe objektivat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Dokumenti i plotë këtu: VKM nr. 540, 20.9.2023

Strategjia e Komunikimit IPA III

Kjo strategji përcakton kuadrin institucional dhe narrativ për informimin e publikut mbi mbështetjen e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në periudhën 2021–2027. Ajo synon të rrisë transparencën, të forcojë ndërgjegjësimin dhe të bëjë të prekshëm ndikimin e fondeve të BE-së përmes mesazheve të qarta, historive konkrete dhe kanaleve të koordinuara të komunikimit. Strategjia mbështet rolin koordinues të SASPAC dhe nxit bashkëpunimin me institucionet përfituese, median dhe publikun e gjerë, duke e kthyer asistencën financiare të BE-së në informacion të kuptueshëm, të aksesueshëm dhe të besueshëm për qytetarët.

Shkarko strategjinë: Strategjia e Komunikimit the Vizibilitetit – IPA III


Akte Ligjore dhe Regullatore për miratimin e IPA 2021
Akte Ligjore dhe Regullatore për miratimin e IPA 2022
Akte Ligjore dhe Regullatore për miratimin e IPA 2023
Akte Ligjore dhe Regullatore për miratimin e IPA 2024