Ky dokument paraqet hapat e ndërmarrë për harmonizimin e legjislacionit shqiptar me Rregulloren (BE) 2020/1056 mbi Informacionin Elektronik të Transportit të Mallrave (eFTI), në kuadër të digjitalizimit të sektorit të transportit dhe lehtësimit të tregtisë. Me Urdhrin e Kryeministrit Nr. 87, datë 19.06.2025, është ngritur një grup ndërinstitucional pune me përfaqësues nga institucionet kryesore përgjegjëse për ekonominë, financat, transportin, doganat, sigurinë kibernetike dhe shoqërinë e informacionit. Grupi ka për detyrë hartimin e projektligjit “Për Informacionin Elektronik të Transportit të Mallrave (eFTI)”, analizimin e kuadrit ekzistues ligjor dhe institucional, si dhe përgatitjen e dokumentacionit mbështetës për përafrimin e plotë me acquis të Bashkimit Evropian. Nisma synon të modernizojë procedurat e transportit dhe logjistikës, të reduktojë barrën administrative dhe të përmirësojë shkëmbimin elektronik të të dhënave në transportin e mallrave.