Ky dokument paraqet miratimin e Udhërrëfyesit për Përmirësimin dhe Lehtësimin e Raportimit të Bizneseve ndaj Institucioneve Publike, një dokument strategjik që synon reduktimin e barrës administrative për bizneset dhe modernizimin e ndërveprimit të tyre me administratën publike. Udhërrëfyesi është hartuar mbi bazën e një analize gjithëpërfshirëse të praktikave ekzistuese të raportimit, e cila identifikoi mbivendosjet, fragmentimin e kërkesave për raportim dhe nevojën për rritjen e ndërveprueshmërisë së sistemeve publike digjitale.
Dokumenti përcakton objektiva dhe masa konkrete për thjeshtimin e procedurave, zbatimin gradual të parimit “raporto vetëm një herë” (report once), zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave ndërmjet institucioneve. Reforma synon të krijojë një mjedis më efikas dhe më miqësor për biznesin, të ulë kostot administrative për sipërmarrjet, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe të kontribuojë në modernizimin e administratës publike në përputhje me standardet evropiane të qeverisjes dhe rregullimit më të mirë.