Ky dokument paraqet përmbushjen e hapit të Agjendës së Reformave për krijimin e kuadrit ligjor që mundëson themelimin dhe funksionimin e Komuniteteve të Energjisë së Rinovueshme në Shqipëri. Me miratimin e Udhëzimit të Ministrit Nr. 4, datë 29 qershor 2026, u vendos për herë të parë baza ligjore për organizimin, regjistrimin dhe funksionimin e këtyre komuniteteve, në përputhje me Direktivën (BE) 2018/2001 për energjinë nga burimet e rinovueshme.
Kuadri i ri përcakton format ligjore të komuniteteve, kriteret e anëtarësimit, rregullat e qeverisjes, të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve, si dhe rolin e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) në regjistrimin dhe mbikëqyrjen e tyre. Gjithashtu, ai promovon pjesëmarrjen e qytetarëve, bizneseve të vogla dhe të mesme, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe familjeve vulnerabël në prodhimin dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme, duke nxitur tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e energjisë së pastër.