Ky dokument paraqet përmbushjen e hapit të Agjendës së Reformave për rritjen e efiçencës së sistemit gjyqësor dhe uljen e numrit të çështjeve të prapambetura. Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi Udhërrëfyesin për Efiçencën e Gjyqësorit 2025–2027, në përputhje me metodologjinë e CEPEJ, duke përcaktuar objektiva të matshëm, mekanizma monitorimi dhe masa konkrete për menaxhimin më efektiv të çështjeve gjyqësore.
Zbatimi i Udhërrëfyesit përfshin plotësimin e vendeve vakante për gjyqtarë dhe staf mbështetës, krijimin e strukturave për monitorimin e zbatimit, inventarizimin dhe klasifikimin e çështjeve të prapambetura, përdorimin më të gjerë të ndërmjetësimit, forcimin e statistikave gjyqësore dhe përmirësimin e planifikimit të burimeve njerëzore. Këto masa synojnë përshpejtimin e shqyrtimit të çështjeve, uljen e ngarkesës së gjykatave dhe rritjen e cilësisë dhe efiçencës së sistemit gjyqësor, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.