Këshilli i Evropës

Shqipëria u anëtarësua në Këshillin e Europës (KiE) më 13 korrik 1995, duke marrë përsipër angazhimin e plotë për respektimin e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit. Prania e KiE-së në Shqipëri fillimisht u realizua përmes Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm, dhe më pas me themelimin e Zyrës së Informacionit të KiE-së në Tiranë në vitin 2003. Ky proces u konsolidua në janar 2011 me krijimin e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, si formë e përhershme bashkëpunimi, në bazë të një Memorandumi Mirëkuptimi mes Qeverisë së Shqipërisë dhe KiE-së.

Zyra e KiE-së në Tiranë shërben si qendër koordinuese për programet e organizatës në vend, duke siguruar komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet Drejtorive të Përgjithshme të KiE-së në Strasburg dhe autoriteteve vendore, si dhe duke lehtësuar bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë. Ky bashkëpunim mbështetet në konventat e ratifikuara nga Shqipëria, në rekomandimet e mekanizmave monitorues si GRECO dhe MONEYVAL, si dhe në programe të përbashkëta me Bashkimin Europian, përfshirë Facility Horizontal III (2023–2026), si edhe iniciativa të financuara nga shtetet anëtare të KiE-së.

Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë forcimin e të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nxitjen e qeverisjes demokratike dhe pjesëmarrjes qytetare, garantimin e lirisë së shprehjes dhe standardeve mediatike, si dhe mbështetjen për arsimin, rininë dhe politikat gjithëpërfshirëse. Në këtë kuadër, prioritet mbeten reformat institucionale dhe mbrojtja e të drejtave të grupeve vulnerabël, duke e bërë Këshillin e Europës një partner të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë evropian.

Profil Zyra e Keshillit te Evropes (CoE)

Artikuj të ngjashëm
ODA at a Glance 2023
Më Shumë
Raporti i Progresit të Ndihmës së Huaj 2013–2023
Më Shumë
Gjermania
Më Shumë