Ky dokument paraqet integrimin e plotë të projekteve të koncesioneve dhe partneriteteve publike-private (PPP) në Listën Unike të Projekteve të Rëndësisë Kombëtare (National Single Project Pipeline – NSPP), duke siguruar që këto investime t’i nënshtrohen të njëjtave standarde të planifikimit, vlerësimit dhe monitorimit si investimet publike tradicionale. Kuadri i ri ligjor, i mbështetur nga Ligji Nr. 88/2025 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, përcakton që projektet PPP me rëndësi strategjike ose mbi pragjet financiare të përcaktuara të vlerësohen fillimisht në kuadër të sistemit kombëtar të menaxhimit të investimeve publike përpara ndjekjes së procedurave të koncesionit.
Reforma forcon transparencën, qëndrueshmërinë fiskale dhe cilësinë e vendimmarrjes për projektet e mëdha infrastrukturore dhe strategjike, duke mundësuar një qasje të unifikuar për planifikimin dhe prioritizimin e investimeve publike. Integrimi i projekteve PPP në NSPP kontribuon në përmirësimin e qeverisjes së investimeve, rritjen e kontrollit mbi riskun fiskal dhe përafrimin e praktikave shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian për menaxhimin e investimeve publike dhe partneriteteve publike-private.