Gjermania

Gjermania është ndër partnerët dypalësh më të rëndësishëm të Shqipërisë në fushën e bashkëpunimit për zhvillim, me një angazhim të qëndrueshëm që prej vitit 1988. Ky bashkëpunim realizohet kryesisht përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), duke kombinuar mbështetjen financiare me asistencën teknike. Për më shumë se tre dekada, Gjermania ka qenë një nga kontribuesit kryesorë në projektet që kanë ndikuar drejtpërdrejt në transformimin ekonomik dhe social të Shqipërisë.

Fushat kryesore të ndërhyrjes gjermane përfshijnë energjinë dhe tranzicionin e gjelbër, përmes investimeve në energjinë e rinovueshme, eficiencën energjetike dhe modernizimin e rrjeteve të shpërndarjes. Gjermania ka mbështetur gjithashtu zhvillimin ekonomik dhe arsimin profesional, duke krijuar mundësi më të mëdha punësimi dhe duke forcuar konkurrueshmërinë e sektorit privat. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, përmes projekteve në ujësjellës-kanalizime, menaxhimin e mbetjeve dhe zhvillimin urban.

Përveç sektorëve ekonomikë dhe mjedisorë, Gjermania mbështet proceset e mirëqeverisjes, barazisë gjinore dhe digjitalizimit, duke ndihmuar në forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Shqipëria përfiton gjithashtu nga një gamë e gjerë programesh rajonale dhe globale që promovojnë zhvillimin gjithëpërfshirës dhe rritjen e qëndrueshme, duke e bërë Gjermaninë një partner strategjik në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.

Protokolli i Negociatave për bashkëpunimin për zhvillim me Gjermaninë 2024

Marrëveshja e bashkëpunimit teknik me Gjermaninë

https://tirana.diplo.de/

Artikuj të ngjashëm
ODA at a Glance 2023
Më Shumë
Banka Botërore
Më Shumë
Holanda
Më Shumë