Ky dokument paraqet përfundimin e kuadrit rregullator dhe operacional për forcimin e reziliencës kibernetike në Shqipëri, në përputhje me kërkesat e Direktivës Evropiane NIS2. Nëpërmjet miratimit të paketës së plotë të akteve nënligjore të parashikuara nga Ligji Nr. 25/2024 “Për Sigurinë Kibernetike”, janë vendosur mekanizmat institucionalë, procedurat dhe standardet e nevojshme për identifikimin, parandalimin, raportimin dhe menaxhimin e incidenteve dhe krizave kibernetike në nivel kombëtar.
Reforma përfshin krijimin dhe funksionalizimin e kuadrit për Menaxhimin e Krizave Kibernetike, ngritjen e strukturave të reagimit ndaj incidenteve (CSIRT), miratimin e procedurave për identifikimin dhe përshkallëzimin e krizave kibernetike, si dhe vendosjen e Politikës së Zbulimit të Koordinuar të Vulnerabiliteteve (Coordinated Vulnerability Disclosure – CVD). Këto masa forcojnë kapacitetet kombëtare për mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, përmirësojnë koordinimin ndërinstitucional dhe rrisin nivelin e sigurisë kibernetike në përputhje me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.