Menaxhimi i fondeve të huaja në Shqipëri është një proces kompleks që përfshin institucione qendrore, ministri të linjës dhe partnerë zhvillimorë, duke u mbështetur në një kornizë të qartë ligjore dhe administrative. Qëllimi kryesor është garantimi i përdorimit efikas, transparent dhe të qëndrueshëm të granteve dhe kredive që vendi përfiton për mbështetjen e reformave dhe zhvillimit socio-ekonomik.
Grantet përfaqësojnë asistencë të pakthyeshme financiare ose teknike të ofruar nga Bashkimi Evropian, qeveri partnere, institucione financiare ndërkombëtare apo organizata shumëpalëshe. Ato zbatohen nga ministritë përkatëse dhe agjencitë e tyre, ose drejtpërdrejt nga agjenci zbatuese të donatorëve dhe organizata ndërkombëtare, gjithmonë në bashkëpunim me institucionet përfituese shqiptare. Kjo siguron që edhe kur fondet nuk kalojnë përmes sistemit buxhetor, ato të monitorohen dhe të përdoren në përputhje me prioritetet kombëtare.
Kreditë përbëjnë një instrument financiar të rëndësishëm, të ofruar kryesisht nga institucione financiare ndërkombëtare dhe banka zhvillimore me kushte të favorshme. Negocimi i tyre është kompetencë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE), e cila vlerëson ndikimin në borxhin publik dhe përputhjen me strategjinë kombëtare të menaxhimit të financave. Pas ratifikimit nga Kuvendi, zbatimi i projekteve u besohet ministrive të linjës dhe institucioneve zbatuese, ndërsa monitorimi i borxhit kryhet nga MFE për të garantuar që kreditë të përdoren në mënyrë të përgjegjshme dhe në funksion të qëndrueshmërisë fiskale të vendit.