
Eridana Çano, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.
Eridana Çano është Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Planifikimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Koordinatore Kombëtare e IPA-s (KKIPA), si dhe Koordinatore Kombëtare e Axhendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Me një eksperiencë të konsoliduar në administratën publike dhe në organizatat ndërkombëtare, ajo ka udhëhequr procese kyçe në fushën e integrimit europian, koordinimit të ndihmës së huaj dhe reformave të mirëqeverisjes. Në rolin e saj aktual, znj. Çano drejton koordinimin strategjik të asistencës së Bashkimit Europian dhe partnerëve ndërkombëtarë, si dhe zbatimin e Axhendës së Reformave, duke siguruar përputhshmërinë me prioritetet kombëtare dhe avancimin e reformave në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. Gjithashtu, ajo udhëheq sistemin e planifikimit strategjik në Shqipëri, duke siguruar lidhjen ndërmjet prioriteteve kombëtare, programimit të investimeve dhe asistencës së huaj.
Më herët, ajo ka shërbyer si Zv/Drejtore e Kabinetit të Kryeministrit, ku ka mbuluar çështje të integrimit europian, koordinimin me donatorët dhe koordinimin e projekteve strategjike. Ajo ka drejtuar për 7 vite Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, duke zhvilluar platformën e bashkëqeverisjes si një instrument kyç për forcimin e ndërveprimit mes qytetarëve, bizneseve dhe administratës publike.
Karriera e saj përfshin mbi 14 vite eksperiencë në organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Europës, UNDP dhe Banka Botërore, me fokus në luftën kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale në rajon.
Znj. Çano është diplomuar në Sociologji në Universitetin e Tiranës dhe zotëron anglishten, italishten, frëngjishten dhe spanjishten.
Ajo ushtron këtë detyrë prej gushtit 2024.