Në përmbushje të misionit të saj për koordinimin e ndihmës së huaj dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) ofron një mekanizëm të posaçëm të asistencës teknike për hartimin e projekteve dhe konsulencën. Ky mekanizëm synon të mbështesë institucionet publike që të përgatisin aplikime cilësore dhe të suksesshme në thirrjet e donatorëve ndërkombëtarë, si dhe të garantojnë standarde të larta teknike në fazat përgatitore të projekteve me financim të huaj.
Bazuar në një procedurë të dedikuar prokurimi, SASPAC ka krijuar një marrëveshje kuadër me ekspertë dhe kompani konsulence të specializuara, të cilët angazhohen sipas nevojave të institucioneve përmes një procesi mini-konkurrimi transparent dhe në përputhje me legjislacionin përkatës.
Ky shërbim ndahet në dy komponentë kryesorë:
Loti 1 – Hartimi i projekt-propozimeve
Ky komponent synon identifikimin dhe përgatitjen e aplikimeve të reja në përgjigje të thirrjeve për financime të huaja. Për këtë qëllim, SASPAC ka krijuar një rrjet konsulentësh dhe kompanish të specializuara në fusha të ndryshme, duke përfshirë:
Shkrimin e projekteve dhe hartimin e koncept-ideve;
Çështje financiare dhe ligjore;
– Bujqësinë dhe peshkimin;
– Teknologjinë e informacionit dhe telekomunikacionet;
– Turizmin, eficencën e energjisë dhe energjinë e rinovueshme;
– Mjedisin dhe ndryshimet klimatike;
– Qeverisjen e mirë (në nivel kombëtar dhe lokal);
– Shëndetin publik, mbrojtjen civile dhe zhvillimin territorial;
– Zhvillimin ekonomik, konkurrueshmërinë dhe ekonominë qarkulluese;
– Infrastrukturën e transportit, furnizimin me ujë dhe energji;
– Administrimin e mbetjeve, start-up-et, arsimin dhe kërkimin shkencor;
– Inovacionin, çështjet e pronësisë, pushtetin vendor dhe financat lokale;
– Kulturën dhe trashëgiminë kulturore, sigurinë publike, migracionin, median dhe komunikimin.
Ky diversitet ekspertize siguron që çdo projekt të përgatitet në mënyrë profesionale, të jetë i qëndrueshëm dhe i përshtatur me standardet e donatorëve ndërkombëtarë.
Loti 2 – Detyra teknike dhe inxhinierike
Ky komponent mbulon asistencën teknike gjatë fazave të përgatitjes së projekteve, duke përfshirë analiza, detyra inxhinierike dhe ekspertizë të specializuar që ndihmojnë institucionet të hartojnë projekte të besueshme dhe të realizueshme në praktikë.
Si funksionon?
Çdo institucion shtetëror që ka nevojë për asistencë teknike i drejtohet SASPAC.
SASPAC shpall një mini-konkurrim të brendshëm vetëm midis operatorëve ekonomikë pjesë e marrëveshjes kuadër.
Konsulentët dhe kompanitë më të përshtatshme kontraktohen për të ofruar shërbimin e kërkuar.
Marrëveshjet kuadër janë të vlefshme për një periudhë 3-vjeçare, duke ofruar fleksibilitet dhe siguri për mbulimin e nevojave të vazhdueshme për asistencë teknike në procesin e planifikimit dhe hartimit të projekteve.